Pamjet në mediat sociale tregojnë se sa shpejt shirat përmbytën rrugët dhe ndërtesat në mjaft vende në Ballkanin Perëndimor. Situata më e rëndë është në Bosnje-Hercegovinë.
Të paktën 16 vetë kanë vdekur nga përmbytjet e rënda dhe rrëshqitjet e dheut në Bosnje-Hercegovinë. Autoritetet lokale dhe Zyra për Mbrojtjen Civile thonë se numri i saktë i viktimave ende nuk dihet dhe se numri i të vdekurve nga përmbytjet ka gjasa të rritet.
Në Bosnje-Hercegovinë më i prekur është një rajon malor rreth 30 kilometra në veri të qytetit të Mostarit. Trupat pa jetë u gjetën në rajonin malor të Jabllanicës, i cili gjendet 70 kilometra në jugperëndim të Sarajevës. Në fotografitë e botuara në mediat lokale duket se prej rrëshqitjeve të dheu u mbuluan mjaft ndërtesa. Nga një xhami dukej vetëm minarja.
“Situata është shumë serioze, shumë njerëz nuk mund të largohen nga banesat”, shkroi kryeministri i Federatës së Bosnje-Hercegovinës, Nermin Niksic në platformën X. Sipas zëdhënësit të qarkut, Darko Jukan, qyteti i Jabllanicës, me një popullsi prej 4,000 banorësh, nuk ka për momentin asnjë lidhje me botën.Qeveria në Bosnje-Hercegovinë krijoi një shtab krize dhe shpalli gjendjen e jashtëzakonshme.
Edhe në Shqipëri situata në disa qytete u përkeqësua ditën e djeshme brenda pak minutash. Situata më e rënduar është në Vlorë ku u përmbytën disa lagje, disa rrugë e kryqëzime janë ende të bllokuara. Probleme ka edhe në rrugën lidhëse të autostradës Vlorë-Fier me Transballkaniken./ DW