Ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) është jo vetëm e krahasueshme, por madje i tejkalon shumë vende të Ballkanit në kapacitetet e saj ushtarake. Ai theksoi se blerja e pajisjeve ushtarake është rritur ndjeshëm gjatë qeverisjes së kabinetit Kurti, duke arritur një investim prej 238 milionë eurosh nga viti 2021 deri në 2023.
Maqedonci përmendi sistemet e avancuara, përfshirë ato Bayraktar dhe Javelin, si pjesë të arsenali të ri ushtarak, duke nënvizuar se ushtria është më e fortë se kurrë.
“6.000 për qind e rritjeve të investimeve në armatim. Është e pakonceptueshme që në periudhën 20218-2020 janë më pak se katër milionë euro blerje të armatimit, e nga 2021-a deri në 2023 janë 238 milionë euro blerje për armatim…Përmes këtyre blerjeve i kemi kursyer miliona euro nga buxheti i Kosovës.
Sisteme Bayraktar, sisteme strategjike Javelin, që jemi në proces të ekzekutimit të pagesave për t’i pasur si pjesë e inventarit. Ka edhe shumë sisteme të tjera që po prokurohen dhe janë sisteme të rëndësishme për fuqizim të kapaciteteve luftarake. Mund të themi që jo vetëm që s’ka qenë më e fuqishme, por ushtria jona është e krahasueshme me vendet e Ballkanit dhe i tejkalon shumë prej tyre”, ka thënë Maqedonci.