Keqinformimi dhe dezinformimi nënkuptojnë një sfidë në rritje për politikëbërësit, kompanitë, stabilitetin social dhe vetë demokracinë.
Raporti i Rreziqeve Globale 2024
Për gjeografinë ku lajmet dezinformuese mund të shpërndahen pa asnjë “kontroll kufitar; për koston minimale, për shpejtësinë marramendëse të përhapjes dhe për numrin e pa kufizuar të të “peshkuarve”, armët digjitale klasifikohen si “armë të shkatërrimit në masë. Në botën tonë digjitale dhe të inteligjencës artificiale keqinformimi dhe dezinformimi janë rritur me shpejtësi dhe janë bërë pjesë e analizave të rreziqeve potenciale globale. Dezinformuesit kanë qëllime të ndryshme, nga ato gjeopolitike te cenimi i stabilitetit financiar. Kur dezinformuesit janë pjesë e armatës digjitale me “kërcënimet hibride” të konflikteve gjeopolitike, në fokus të tyre janë përfitimet politike. Vlerësohet se: “Dezinformimi është i rrezikshëm, sepse objektivi i tij është të përçajë shoqërinë tonë. Qëllimi i tij është të shkaktojë dëme, të intensifikojë konfliktet dhe debatet ekzistuese, të minojë besimin në institucionet shtetërore dhe të nxisë zemërimin dhe emocionet në përgjithësi”. Raporti i rreziqeve globale i vitit 2024 i klasifikon rreziqet nga dezinformimi dhe keqinformimi në vendin e dytë në afatshkurtër dhe në vendin e 5-të në afatgjatë. Keqinformimi dhe dezinformimi paraqesin rreziqe të konsiderueshme si në planin afatshkurtër, ashtu edhe në atë afatgjatë.
Rreziqet afatshkurtra: (a) Rreziqet për shëndetin – përhapja e informacionit të rremë mund të çojë në sëmundje dhe vdekje të parandalueshme. (b) Humbje financiare, mashtrimet dhe skemat mashtruese të bazuara në dezinformata mund të rezultojnë në humbje të konsiderueshme financiare. (c) Dhuna fizike – keqinformimi mund të nxisë dhunë dhe trazira. (d) Ndarja sociale: Keqinformimi mund të përkeqësojë ndarjet sociale dhe polarizimin.
Rreziqet afatgjata: (a) Gërryerja e besimit, me kalimin e kohës, ekspozimi i vazhdueshëm ndaj dezinformatave mund të gërryejë besimin tek institucionet, ekspertët dhe mediat. (b) Dobësimi i demokracisë: Dezinformimi mund të dëmtojë proceset demokratike duke manipuluar opinionin publik dhe duke gërryer besimin në zgjedhje. (c) Paqëndrueshmëria ekonomike: Keqinformimi mund të destabilizojë tregjet financiare dhe të pengojë rritjen ekonomike. (d) Kërcënimet globale të sigurisë: dezinformimi mund të përdoret për të nxitur ndërhyrjen e huaj, për të minuar sigurinë kombëtare dhe për të përkeqësuar tensionet gjeopolitike. Pas krizës financiare globale të viteve 2008-2013, janë nxjerrë shumë mësime dhe janë bërë shumë ndryshime ligjore dhe institucionale për të parandaluar dhe shuar flakët e panikut publik, sapo ato shfaqen. Gjatë krizës greke në 2008- kur shpërtheu paniku për pasigurinë e bankave u vendosën “limite mbijetese” për tërheqjet nga bankat dhe ATM-të. Afërsisht të njëjtat masa aplikoi edhe Qipro në krizën e saj më të rëndë bankare e financiare. Në shumë raste paniku është aplikuar ndërprerja e përkohshme e tregtimit të aksioneve nga bursat vetëm për të shmangur pikën e panikut.
Historianët argumentojnë se Depresioni i Madh (1929-1933), u përshpejtua dhe u thellua edhe nga përhapja e dezinfromimit dhe nga paniku, që çuan në rrëzimin e tregut të aksioneve të vitit 1929. Kriza financiare e vitit (2008), ndërkohë që shkaqet e kësaj krize ishin komplekse, keqinformimi për tregun e hipotekave kontribuoi në panikun që çoi në kolapsin e institucioneve financiare si AIC. Northern Rock bank (2008) rrezikoi falimentimin e saj dhe përhapjen e një krize bankare. Ishkryeministrit Gordon Brown dhe qeveria e tij që ndërhyri me masa radikale, duke shtetëzuar përkohësisht këtë bankë. Ky veprim i shpejtë dhe efektiv ndaloi përhapjen e panikut. Flash Crash (2010), keqinformimet në lidhje me shëndetin financiar të kompanive të ndryshme. Përplasja fillestare fshiu gati 1 trilion dollarë në vlerë tregu. Referendumi i Brexit (2016), gjatë fushatës së Brexit, keqinformimi në lidhje me pasojat ekonomike, të tilla si ndikimi i mundshëm në tregtinë dhe stabilitetin e monedhës, ndikuan në opinionin publik. Vendimi për t’u larguar nga BE çoi në luhatje të konsiderueshme të paundit britanik dhe pasiguri në tregjet financiare, duke prekur investitorët dhe bizneset. Ndikimi ekonomik i COVID-19, në fillim të pandemisë, keqinformimi për origjinën, trajtimet dhe përgjigjet ekonomike ndaj virusit çoi në shitje paniku në tregjet globale. Dezinformatat për kriptovalutat, në një treg të destabilizuar, edhe me qëllim, ka gjithmonë humbës dhe fitues. Fituesit e vërtetë janë destabilizuesit. Humbësit e mëdhenj janë investitorët euforikë dhe të manipuluar.
Rasti i parë (2002) i dezinformimit ndodhi kur qeveria e PSsë po miratonte krijimin e Agjencisë së Sigurimit të Depozitave (ASD). PD në opozitë u përpoq të ndizte panikun te depozituesit duke dezinformuar se krijimi ASD po bëhet sepse paratë e shqiptarëve janë të pasigurta. Në thelb misioni ASD ishte të krijonte një sistem të mbrojtjes së depozitave që e kishin të gjitha vendet e tjera. Kur bankat e nivelit të dytë ndjenë fillimin e rritjes së tërheqjeve të depozitave, kërkuan ndihmë për të ndaluar këtë dezinformim. Duke qenë se PD-ja vazhdoi në mënyrë agresive këtë fushatë dezinformuese, u desh angazhimi i ambasadorit amerikan në Tiranë, Joseph Limpreht, për të detyruar PDnë që të ndalonte fushatën dezinformuese.
Rasti i dytë nga Shqipëria është keqinformimi që një avokat i njohur deklaronte jo rrallë në televizionet private se kur qeveria privatizoi në 2004 Bankën e Kursimeve, atij dhe shqiptarëve u ishin vjedhur paratë e tyre sepse banka që e bleu BK ishte e huaj. Ky keqinformim hidhej poshtë menjëherë nëse respektohej parimi numër 1 kundër keqinformatave dhe dezinformatave, që është “Verifikoni faktet” përpara shpërndarjes së tyre. Ky avokat dhe çdo shqiptar kishin tërhequr dhe depozituar para në këtë bankë për rreth 20 vite (2004- 2024) dhe s’kishin asnjë pengesë për të tërhequr dhe depozituar kursimet e tyre tek kjo bankë.
Rasti i tretë është keqinformimi dhe dezinformimi që bëhet herë pas here ndaj bankave të huaja në vendin tonë bazuar në ecurinë apo problematikat e bankave mëmë në vendet e tyre të origjinës. Duke qenë se këto sulme janë të përsëritura, nuk është e lehtë të dallohet nëse janë keqinformata për përfitime abuzive nga bankat apo janë dezinformata që synojnë të shkaktojnë panik. Bankat huaja në vendin tonë janë subjekt i licencimit, rregullimit dhe mbikëqyrjes sipas legjislacionit shqiptar për BSH dhe bankat e nivelit të dytë. Pas krizës së fundit financiare, bankat e huaja në vendin tonë u nënshtrohen të gjitha kritereve dhe proceseve licencuese, rregullatore dhe mbikëqyrëse njësoj si bankat me kapital vendës. Me asistencën e FMN-së dhe Bankës Botërore, Banka e Shqipërisë ka avancuar me miratimin e kuadrit ligjor dhe institucional për menaxhimin e situatave të jashtëzakonshme. Kjo i ndan bankat amë nga bankat e tyre në vendet e tjera dhe në të njëjtën kohë u krijua parimi i bankave urë, të cilat ndalojnë që efektet e panikut të një banke të vetme të përhapen në sistemin bankar shqiptarë. Reduktimi dhe ndalimi i keqinformimit dhe dezinformimit duhet bërë pa cenuar sado pak fjalën e lirë dhe misionin gazetarëve dhe mediave të pavarura. Hapi i parë që duhet të bëhet i detyrueshëm edhe ligjërisht është që çdo gazetarë dhe çdo media e lirë duhet të bëjnë paraprakisht verifikimin e fakteve.