Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të përballen me “pasoja të rrezikshme” nëse vazhdojnë të rrisin ndihmën ushtarake për Ukrainën, duke kërkuar një zgjidhje politike që do të përfshinte kontrollin rus mbi disa territore ukrainase.
Në një intervistë për Newsweek, Lavrov theksoi: Rusia është e hapur për një zgjidhje politiko-diplomatike, përmes të cilës, i jepet fund shkaqeve rrënjësore të krizës. Ai kërkoi që Ukraina të heqë dorë nga provincat e Donetsk, Kherson, Luhansk dhe Zaporizhzhia, si dhe të braktisë ambiciet për anëtarësim në NATO.
Lavrov vuri në dukje se aktualisht nuk ka shenja për një rivendosje të paqes, duke theksuar: Zelensky nuk e ka anuluar dekretin e tij për ndalimin e negociatave me Moskën. Ai paralajmëroi se përdorimi i armëve perëndimore nga Ukraina mund të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm të konfliktit, duke thënë: Loja me zjarrin në këtë mënyrë mund të çojë në pasoja të rrezikshme.
Ai gjithashtu foli për kalimin drejt një rendi botëror shumëpolar, duke e lidhur këtë me partneritetet në rritje të Rusisë me Kinën dhe vendet në zhvillim. Lavrov përfundoi duke thënë: Në përgjithësi, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk ka asnjë ndryshim për ne, pasi të dy partitë kanë arritur një konsensus për të kundërshtuar vendin tonë.