-sidi education-spot_img
10.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Enver Robelli: Kush janë 7 komandantët e vrarë të Hizbollahut?

Kryesoret

Me vrasjen e Hasan Nasrallahut dhe këshilltarëve të tij më të afërt, Hizbollahu është dobësuar tej mase. A do të jetë më shtet brenda shtetit në Liban?

Nuk ka asnjë dyshim: sulmet izraelite ndaj organizatës terroriste të Hizbollahut janë spektakulare dhe precize. Hizbollahu gëzon mbështetjen e Iranit dhe vepron si shtet brenda shtetit në Liban, një vend multietnik, multifetar dhe multikulturor.

Kur Hamasi, organizata tjetër terroriste, e cila kontrollonte Gazën, sulmoi më 7 tetor civilët e pafajshëm në Izrael (dhe vrau rreth 1200 prej tyre), Hizbollohu këtë krim e priti me gëzim dhe premtoi se do t’u dalë në ndihmë “vëllezërve myslimanë” të Hamasit. Që nga atëherë, nga veriu i Izraelit janë detyruar të ikin rreth 60 mijë njerëz si pasojë e sulmeve me raketa nga Hizbollahu. Këto predha shkrepen kryesisht nga Libani jugor.

Por javëve të fundit ushtria izraelite ka arritur të shpartallojë gati komplet udhëheqjen e Hizbollahut. Koka më prominente që u vra ishte Hasan Nasrallahu, lideri 64-vjeçar i Hizbollahut. Ai e drejtonte këtë organizatë nga viti 1992. Kush janë figurat kryesore të Hizbollahut të vrarë deri më tani?

Hasan Nasrallahu, baba i 5 fëmijëve, u lind në jug të Libanit në vitin 1960. Atje vdiq në vitet 90-të njëri nga bijtë e tij në luftë kundër armatës izraelite. Nasrallahu që në rininë e tij iu përkushtua fesë dhe vizitoi në vitet 70-të shkolla fetare shiite në Liban, në Irak dhe në Iran. Në moshën 15-vjeçare iu bashkua milicisë shiite Amal, të cilën e braktisi pas mosmarrëveshjeve rreth strategjisë së duhur kundër Izraelit dhe u bë anëtar i Hizbollahut të sapothemeluar. Pasi Izraeli vrau sekretarin e përgjithshëm të Hizbollahut, Abaz al-Musavi më 1992, Nasrallahu e trashëgoi atë në post si sekretar i përgjithshëm i Hizbollahut.

Prestigji i Nasrallahut u rrit pas tërheqjes së Izraelit nga Libani jugor në vitin 2000. Kësisoj mori fund pushtimi prej gati dy dekadave i Libanit jugor nga Izraeli. Nasrallahu konsideroj “prijës i kryengritjes”. Me fjalimet e tij të zjarrta kundër Izraelit ai entuziazmonte jo vetëm ithtarë e tij shiitë, por edhe arabët në rajon.

Përkundër premtimeve të mëdha, Nasrallahu nuk arriti të zgjidhë problemet e mëdha sociale dhe ekonomike të Libanit. Shumë libanezë e urrenin duke e akuzuar se qëndronte pas atentatit kundër ish-kryeministrit Rafik Hariri në vitin 2005. Një vit më vonë Nasrallahu mbijetoi bashkë me Hizbollahun luftën e shkurtër verore të Izraelit. Përballjen e fundit, e cila nisi para një viti, Nasrallahu nuk e mbijetoi.

Një javë para Nasrallahut Izraeli vrau Ibrahim Akilin, ndërsa ai po merrte pjesë në një takim me një delegacion palestinez. Akil konsiderohej dora e djathtë e Nasrallahut, komandonte krahun ushtarak të Hizbollahut dhe i përkiste funksionarëve veteranë. Si shumica e prijësve të Hizbollahut edhe Akil jetonte pothuaj në ilegalitet të plotë dhe gati kurrë nuk fliste publikisht. Ministria e Jashtme amerikane premtonte 7 milionë dollarë për kapjen e tij. Akil akuzohej se në prill të vitit 1983 kishte organizuar sulmet me bomba kundër ambasadës amerikane në Bejrut. Me atë rast u vranë 63 veta. 6 muaj më vonë bombat vranë në kryeqytetin libanez 241 ushtarë. Edhe në këtë krim Akil dyshohej se ka luajtur një rol. Pjesë e punëve të pista të tij ishte edhe rrëmbimi i qytetarëve të huaj në Liban.

“Hizbollahu shpall zyrtarisht vdekjen dëshmor të udhëheqësit të lartë të xhihadistëve, z. Fuad Shukr.” Me një fjali të vetme udhëheqësit e ekstremistëve konfirmuan më 31 korrik se komandanti i Hizbollahut vdiq gjatë një sulmi izraelit në Bejrut. Pothuajse në të njëjtën kohë, udhëheqësi i Hamasit, Ismail Hanija, ra viktimë e një atentati, me shumë gjasa të planifikuar nga Izraeli, në Teheran.

Ashtu si Ibrahim Akil, edhe Fuad Shukr thuhet se ishte i përfshirë në sulmin e vitit 1983 kundër ushtarëve amerikanë në Bejrut. Edhe ai ishte në kërkim nga qeveria amerikane. Izraeli e akuzoi Shukrin për planifikimin e vrasjes së dymbëdhjetë njerëzve në një fshat të pakicës së druzëve në Golan. Ata humbën jetën në fund të korrikut pas një sulmi me raketa të Hizbollahut. Hizbollahu mohoi përfshirjen në këtë masakër. Shukr shërbeu si këshilltar i Nasrallahut dhe ishte përgjegjës për sigurimin e armëve moderne për milicinë shiite. Ai ishte 62 vjeç.

Gazeta libaneze “al-Akhbar” e quajti vrasjen e Taleb Sami Abdallah, e cila ndodhi më 12 qershor, një “goditje të dhimbshme”. Sipas ushtrisë izraelite, komandanti i lartë i Hizbollahut u eliminua në qytetin Tirus në Libanin jugor. Taleb Sami Abdallah komandonte njësinë elitare “Nasser”, e cila duket të jetë përgjegjëse për disa sulme me raketa në veri të Izraelit. Hizbollahu publikoi një foto të Abdallahut me kreun e Gardës Revolucionare Iraniane, Kasem Soleimani, i cili u vra në Irak në vitin 2020 nga një sulm i SHBA-ve me dron. Abdallah duket se ka qenë shumë i afërt me Soleimanin.

Visam al-Tauil, komandanti 48-vjeçar i një njësie sekrete të Hezbollahut ishte në makinën e tij të terrenit, kur në fillim të janarit u godit nga forcat ajrore izraelite në qytetin e tij të lindjes, Khirbet Silem, në Libanin jugor. Në atë kohë, Hasan Nasrallahu kishte thënë gjatë një fjale të transmetuar në televizion: “Kushdo që mendon për një luftë me ne – me një fjalë, do të pendohet.” Visam al-Tauil iu bashkua Hizbollahut në vitin 1989. Dy nga vëllezërit e tij kanë rënë si luftëtarë të Hizbollahut.

Në vitin 2013, ai udhëtoi për në Siri për të mbështetur diktatorin Bashar al-Asad në luftën kundër kryengritësve. Ashtu si shumica e udhëheqësve të Hizbollahut, edhe Ahmed Vehbe lindi në jug të Libanit, në vitin 1964. Aty, që në rini u bë mbështetës i rezistencës kundër okupimit izraelit. Në vitin 1984, forcat izraelite e arrestuan. Pas lirimit të tij, ai u ngrit në detyrë si komandant fushëbeteje i Hizbollahut. Ekstremistët e adhuronin Vehbe, sepse në vitin 1997 ai tërhoqi një njësi speciale të ushtrisë izraelite në pritë, ku humbën jetën dymbëdhjetë ushtarë izraelitë.

Vehbe u vra më 20 shtator së bashku me Ibrahim Akil në Bejrut nga forcat ajrore izraelite. Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Libanit, mes të vdekurve kishte edhe fëmijë. Paraprakisht, në Liban shpërthyen në masë pejxhera dhe radiolidhje që anëtarët e Hizbollahut i përdornin për komunikim. Mijëra persona u plagosën rëndë nga këto shpërthime. Kur më 3 korrik erdhi lajmi se Mohamed Nimah Naser ishte vrarë nga një sulm ajror izraelit, Hizbollahu u përgjigj me rreth 100 raketa dhe predha. Izraeli e akuzoi Naserin për lansimin e raketave nga Libani.

Thuhet se ai drejtonte njësinë Aziz të Hizbollahut, e cila ishte përgjegjëse për ndezje të raketave në drejtim të Izraelit. Naser u vra në qytetin bregdetar të Tirusit, kur një dron goditi veturën e tij. Ai duket se kishte të njëjtën gradë si Taleb Sami Abdallah, i cili u vra në fillim të qershorit. Për të, Hizbollahu ndezi 200 raketa në drejtim të Izraelit.

Sipas një raporti të gazetës amerikane “Wall Street Journal”, dështimi i shërbimit sekret izraelit për të parandaluar sulmin e Hamasit më 7 tetor të vitit të kaluar i atribuohet faktit se udhëheqësit izraelitë në dy dekadat e fundit kishin investuar burimet e tyre në përgatitjen për një konflikt të mundshëm me Hizbollahun libanez.

Kjo organizatë është parë si kërcënimi më i madh. Kryeministri Benjamin Netanjahu, sipas këtij raporti, ka ndjekur gjatë viteve të fundit një strategji për të kufizuar Hamasin. Ai ishte i bindur se grupi terrorist palestinez nuk ishte i interesuar për një luftë me Izraelin dhe se do të përqendrohej në administrimin e Gazës. Ky ishte një gabim./ KOHA

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit