Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, ka thënë se mirëpret vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr kufizimin ndaj mallrave të Serbisë, në pikën kufitare në Merdare.
“Ky është një hap i rëndësishëm drejt zhbllokimit të CEFTA-s. Ne do ta mbështesim Qeverinë e Kosovës, për të garantuar që plotësohen kërkesat e saj të sigurisë, dhe do të monitorojmë proceset në pikën kufitare”, ka thënë ai përmes një postimi në X.
Vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë të ditur më herët gjatë ditës së hënë se kufizimi për hyrjen e mallrave prej Serbisë, është hequr në pikëkalimin në Merdare.
Megjithatë, ai ka kërkuar ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Perëndimit në sigurimin e skanerëve në pikat kufitare, në mënyrë që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.