Paraditen e sotme kryeministri Edi Rama ka mbledhur në një takim kryetarët e bashkive. Në fokus të diskutimeve janë legalizimet, masat për të parandaluar përmbytjet nisur nga ajo që ndodhi në Vlorë, por edhe çështje të tjera.
Kreu i qeverisë kërkoi stërvitje dhe gatishmëri për zjarret dhe përmbytjet. U justifikua me përmbytjet e fundit me fenomenet natyrore që sipas tij formacioni i reshjeve ka ndryshuar.
“Ka ndryshuar formacioni i reshjeve. Para ca kohëve u bë spektakolare përmbytja në Dubai ku për 18 orë, ra një shi i barabartë me 18 muaj në Londër. Nuk ka infrastrukturë që të mund të përballojë goditjen e parë.
Ajo që ne nuk mund ta neglizhojmë është dobësia, që shfaqet në reagimin tonë në nivelin vendor, qoftë për zjarret dhe qoftë për përmbytjet. Është e domosdoshme që të ketë një fokus të veçantë tek organizimi i strukturës, aftësimi dhe stërvitja e të gjithë strukturës për të dalë në momentin e parë të reagimit” tha ai.