Nënkryetarja e PL-së, Erisa Xhixho me anë të një postimi në rrjetet sociale shprehet se braktisja masive e universiteteve është këmbanë alarmi për gjendjen në të cilën ndodhet arsimi universitar në vend. Xhixho thotë që mbyllja e qindra shkollave rrezikon që të pasohet nga mbyllja e universiteteve.
“Degët e mësuesisë janë në rrezik mbylljeje. Në nivel kombëtar rrezikojmë të mbetemi pa mësues fizike, kimie apo matematike. Këtë vit janë regjistruar vetëm 5 studentë në degën e fizikës dhe 8 në atë të kimisë. Kaq mjafton për të kuptuar se arsimi i lartë po shkon drejt humnerës. Qeveria ka dështuar me arsimin, sepse nuk e ka pasur kurrë prioritet. Mashtrimi me bursat për degët prioritare ka prodhuar braktisjen masive të tyre. Ministria e Arsimit nuk ia doli dot kurrë t’u ofrojë të rinjve një alternativë reale kundër largimit nga vendi.”, shkruan ajo.
Ajo shprehet se Partia e Lirisë e ka arsimin një nga pesë prioritet e saj.