Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali po merr pjesë në sesionin e 149 të Asamblesë së Unionit Ndër-Parlamentar në Gjenevë.
Gjatë fjalës së saj Spiropali tha se “kjo është një arritje e merituar për Shqipërinë dhe për reformat që ka miratuar, duke qenë vendi i parë në grupin e vendeve kandidate që hap negociatat e anëtarësimit, bazuar në metodologjinë e re të anëtarësimit në BE. Parlamenti ynë është i angazhuar fort për të ruajtur lidershipin, për të garantuar legjitimitetin demokratik dhe gjithëpërfshirjen e procesit”.
Ajo u shpreh se sfidat po shtohen edhe për shkak të rrezikut të sulmeve kibernetike, të cilat vijnë si rrjedhojë e qëndrimeve të vendosura e të qarta të Shqipërisë.
“Deri më sot, mbledhjet e komisioneve të përhershme transmetohen online në kohë reale, duke siguruar transparencë dhe përfshirje të publikut. Ne po ndjekim disa rrugë për të krijuar sinergji mes proceseve parlamentare, shkencës e teknologjisë, midis të cilave:
Inkorporimi i arritjeve shkencore në procesin legjislativ;
Krijimi i strukturave të posaçme të shërbimeve parlamentare në ndihmë të proceseve parlamentare;
Ndërtimi i një bashkëpunimi institucional me universitetet.”, tha Spiropali.