Hungaria, e cila mban presidencën gjashtëmujore të BE-së, ka thirrur Konferencën Ndërqeveritare, pasi vendet anëtare të bllokut u dakortësuan se Shqipëria i ka përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e grupkapitullit të parë. Takimi mbahet në Luksenburg, ku është i pranishëm edhe ekipi shqiptar i kryesuar nga kryeministri Edi Rama.
“Shqipëria duhet të jetë pjesë e Bashkimit Europian dhe duhet të ishte pjesë edhe tani” – u shpreh Kryeministri hungarez, Viktor Orban, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me homologun shqiptar, Edi Rama, teksa shtoi se “fatkeqësisht ne po shikojmë pengesa politike dhe është shumë e vështirë për t’i kaluar këto probleme”. Orban tha se Hungaria, që aktualisht mban edhe Presidencën e Këshillit të BE-së, është pro fqinjësisë së mirë, dhe se i mirëpret vendet e Ballkanit Perëndimor në familjen europiane.
Ndërsa Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, e cilësoi këtë një fazë kritike në rrugën drejt anëtarësimit në BE. “Shpresoj që në parlament integrimi europian të konsiderohet nga të gjitha forcat politike si një prioritet kombëtar strategjik. – u shpreh Gonzato gjatë një takimi me institucionet e pavarura, duke thkesuar më tej rëndësine që ka “dialogu dhe bashkëpunimi mes institucioneve në këtë moment”.
Sipas ekspertit të çështjeve evropiane, Gledis Gjipali, ekziston rreziku që lodhja nga reformat të sjellë mosqëndrueshmëri dhe vështirësi në zbatimin e legjislacionit dhe të kërkesave që vijnë nga BE. “Po ashtu polarizimi politik mund të sjellë sërish kosto në proces” – shprehet eksperti. Ndërsa në aspektin e jashtëm Gjipali sheh si pengesë mënyrën e e vendimarrjes në BE, pasi “aplikimi i instrumentit të vetos nga shtete të ndryshme anëtare mund të krijojë përsëri vonesa e pengesa”.