Prej pak ditësh flotës së Forcës Tokësore të ushtrisë shqiptare i janë shtuar edhe mjete taktike për efektivët e Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë.
Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se falë asistencës së aleatit strategjik SHBA-së, tani Forca Tokësore po hedh një hap tjetër drejt modernizimit. Vengu tha se ky është një proces që do të vijojë edhe me rijetëzimin e industrisë ushtarake duke rikthyer prodhimin e armëve në uzinën e Poliçanit, Gramshit dhe Mjekësit.
“Ky investim shënon një hap të rëndësishëm në procesin e modernizimit dhe rritjes së gatishmërisë së strukturave ushtarake, në përputhje me prioritetin tonë për forcimin e infrastrukturës mbrojtëse. Pasurimi i flotës së mjeteve në Forcën Tokësore është gjithashtu një element për rritjen e aftësive tona mbrojtëse dhe përmbushjen e standarteve ndërkombëtare”, tha Vengu.