Gjatë vizitës në Berlin kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë Lulzim Basha dhe deputetja Oriola Pampuri zhvilluan një takim me Stefan Kaufmann, raportuesin për Shqipërinë në Grupin e Punës për Çështjet Europiane të Bundestagut Gjerman.
Në takim ata diskutuan dhe dhanë mendime për rëndësinë që ka për Shqipërinë sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit.
Gjithashtu Basha ka shprehur shqetësimin e tij për përpjekjet e kryeministrit Edi Rama duke vënë nën kontroll institucionet si SPAK, situatën politike në vend dhe për dënimin e deputetit Ervin Salianji.
“Diskutuam gjithashtu për situatën politike në vend, ku së fundmi po shohim një teatër të përsëritur që synon të legjitimojë një pazar të ri politik, si ai i disa muajve më parë, që kulmoi me amnistinë, ndryshimet në kodin zgjedhor dhe vendimin e Gjykatës së Apelit për legjitimitetin e PD-së nga e njëjta trupë gjyqësore, që në një rast të paprecedent, dënoi deputetin Ervin Salianji, duke treguar qartë se sistemi ynë i drejtësisë është nën presion dhe segmente të tij janë ende nën kontrollin politik të atyre që kanë drejtuar për 34 vjet vendin.”, shkruan Basha.