-sidi education-spot_img
15.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Ekspertët presin ulje të normave të interesit

Kryesoret

Vrojtimi u krye me një panel prej 15 ekspertësh të tregjeve financiare, kryesisht analistë të sektorit bankar dhe të shoqërive administruese të fondeve të pensionit dhe fondeve të investimit. Sipas vrojtimit të kryer nga “Monitor”, 80% e ekspertëve presin që pas një viti, norma bazë e interesit të jetë 0.5 pp më e ulët krahasuar me nivelin aktual prej 3%. 13% e ekspertëve mendojnë se norma bazë do të ngelet e pandryshuar në harkun e 12 muajve të ardhshëm, ndërsa vetëm 7% e tyre pret që norma bazë e interesit të rritet. 53% e ekspertëve presin dy ulje të normës bazë të interesit, ndërsa 20% presin një ulje të vetme. Vetëm 7% e ekspertëve të anketuar parashikojnë që në 12 muajt e ardhshëm të ketë më shumë se dy ulje të normës bazë të interesit.

7% e ekspertëve, që presin një rritje të normës bazë të interesit, parashikojnë një lëvizje të vetme në këtë kah. 27% e ekspertëve parashikojnë se norma bazë e interesit pas një viti do të jetë 2.75%. 7% e ekspertëve presin një ulje edhe më të madhe, duke e parashikuar normën bazë të interesit në intervalin 2-2.%. 7% e ekspertëve nuk kanë dhënë parashikim konkret pikësor, por janë kufizuar në parashikimin se norma bazë do të ulet nga niveli aktual. 7% e ekspertëve, që parashikojnë rritje të normës bazë të interesit, e vendosin këtë rritje në masën 0.25 pikë përqindje, që nënkupton një parashikim për normën bazë, pas një viti, në nivelin 3.25%.

Pritet ulje e interesave të kredive dhe depozitave, por më pak se ulja e normës bazë Në terma mesatarë, paneli i ekspertëve parashikon që normat e interesit të kredive dhe të depozitave pas një viti do të jenë në nivele të ulëta, duke ndjekur kështu uljet e pritshme prej tyre në normën bazë të interesit. Ekspertët presin që, mesatarisht norma mesatare e interesit për depozitat me afat në Lek pas një viti të jetë 2.2%, nga afërsisht 2.4% që ishte sipas të dhënave të fundit të Bankës së Shqipërisë (korrik 2024). Megjithatë, duhet thënë se në numër parashikimesh, kryesojnë opinionet që parashikojnë një normë mesatare të barabartë ose lehtësisht më të lartë në raport me atë aktuale. 40% e ekspertëve parashikojnë një normë mesatare interesi për depozitat në intervalin 2.4-2.5%.

33% e ekspertëve parashikojnë një normë interesi mesatare për depozitat në intervalin mes 2% dhe 2.1%. Ky interval është më i afërt me mesataren aritmetike të parashikimeve, që është ndikuar nga 20% e ekspertëve që e parashikojnë normën mesatare të interesit poshtë nivelit të 2%. Sidoqoftë, nëse kryqëzojmë parashikimet për normën bazë me atë për normën mesatare të interesit të depozitave, duket që pritshmëria e ekspertëve është që interesat e depozitave do të ulen në një masë më të vogël në raport me normën bazë të interesit.

Paneli parashikon një ulje në përmasa të ngjashme edhe në normat e interesit të kredive në Lek, mesatarisht me rreth 0.2 pikë përqindje (6.2% nga 6.4% që është shifra e fundit e publikuar nga Banka e Shqipërisë). Megjithatë, edhe në rastin e kredisë, 43% e ekspertëve e parashikojnë normën mesatare të interesit pas një viti të barabartë ose më të lartë në raport me nivelin aktual. 29% e tyre parashikojnë një normë mesatare interesi të kredive në intervalin 6.4-6.5%, ndërsa 14% e tyre parashikojnë rritje të interesave në intervalin 6.6-6.7%. Edhe në rastin e kredisë, parashikimet për normat e interesit nuk janë në të njëjtin hap me ato për lëvizjet e normës bazë të interesit, duke qenë se pritshmëritë për ulje duken më të vogla.

Pavarësisht rënies së ndjeshme të inflacionit gjatë këtij viti, duket se edhe ekspertët e tregut financiar kanë pritshmëri për ulje të ngadaltë të normave të interesit. Këto pritshmëri tregojnë ndoshta një pozicion të matur në ndjekje të ecurisë së inflacionit dhe ruajtjes së hapësirave të sigurisë për depozitat dhe kreditë, kundrejt ndonjë zhvillimi të papritur, duke konfirmuar nevojën për vigjilencë. Sipas Bankës së Shqipërisë, pjesëmarrja e investitorëve jorezidentë gjatë tremujorit të dytë 2024 mbuloi rreth 18% të shtesës së borxhit të qeverisë. Portofoli i tyre në fund të 6-mujorit 2024 arriti vlerën e rreth 6 miliardë lekëve. Kjo shumë përbën 0.8% të totalit të borxhit të brendshëm.

Megjithatë, sipas të dhënave nga tregu, pjesëmarrja e investitorëve të huaj ka vijuar edhe në tremujorin e tretë të vitit, me interes kryesisht në emetimet e obligacioneve referencë. Hyrja e investitorëve të huaj ka sjellë rritje të kërkesës dhe zgjerim të likuiditetit, duke ndikuar në vijimësinë e tendencës rënëse të yield-eve të letrave të borxhit të qeverisë shqiptare. Nga ana tjetër, edhe kërkesa e qeverisë për financim ka ardhur gradualisht në rënie gjatë vitit. Sipas kalendarit të emetimeve të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e përgjithshme e huamarrjes e planifikuar për t’u siguruar nëpërmjet emetimit të instrumenteve financiarë në tremujorin e tretë 2024 ishte rreth 74.6 miliardë lekë, duke përfshirë këtu edhe rifinancimin e borxhit të maturuar.

Vlera e huamarrjes së qeverisë vlerësohet të jetë 10% më e ulët krahasuar me tremujorin e tretë të vitit të kaluar dhe 29% më e ulët krahasuar me tremujorin e dytë të këtij viti. Për tremujorin e katërt, shuma e programuar për t’u financuar në tregun e brendshëm, do të ketë vlerën 68 miliardë lekëve, në rënie me 8.8% krahasuar me tremujorin e tretë dhe në rënie me 15% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Pjesë e vrojtimit ishin edhe dy pyetje lidhur me shkaqet e rënies së kursit të këmbimit mes Euros dhe Lekut, si edhe një parashikim për nivelin mesatar të kursit të këmbimit gjatë vitit 2025.

Të gjithë ekspertët e anketuar mendojnë se një nga arsyet kryesore që kanë përcaktuar forcimin e Lekut ndaj Euros ka qenë turizmi dhe në përgjithësi rritja e eksporteve të shërbimeve në ekonominë shqiptare. Faktori i dytë më i zgjedhur nga ekspertët e anketuar është rritja e investimeve të huaja në pasuri të paluajtshme. Pothuajse 87% e tyre e vlerësojnë këtë faktor me rëndësi në rënien e kursit.

Për gjysmën e parë të vitit 2024, Investimet e Huaja Direkte në pasuri të paluajtshme arritën vlerën e 181 milionë eurove, në rritje me 43% krahasuar me 6-mujorin 2023. Vlera e përgjithshme e Investimeve të Huaja Direkte për periudhën arriti në 749 milionë euro, niveli më i lartë historik i regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë të vitit. Vlera e Investimeve të Huaja Direkte paraqitet në rritje me 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Edhe oferta e shtrënguar e Lekut po vazhdon të ndikojë paralelisht në forcimin e monedhës vendase, sidomos për shkak të nivelit të ulët të shpenzimeve kapitale Faktori i tretë i përzgjedhur si i rëndësishëm nga shumica e ekspertëve është prurja informale e valutës. 11 nga 15 ekspertë i vlerësojnë prurjet informale ndër faktorët kryesorë që kanë sjellë zhvlerësimin e Euros në raport me Lekun.

Faktori i fundit i vlerësuar me peshë nga më shumë se gjysma e ekspertëve (8 nga 15 prej tyre ose 53%) është rritja e remitancave. Kursi për vitin e ardhshëm parashikohet pranë 100 lekëve Ekspertëve të anketuar iu drejtua edhe një pyetje lidhur me pritshmërinë e tyre për nivelin e kursit mesatar të këmbimit gjatë vitit 2025. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për 9-mujorin 2024 tregojnë se kursi mesatar zyrtar i këmbimit deri tani ka qenë 101.5 lekë, në rënie për të katërtin vit radhazi.

Megjithatë, edhe në këtë rast, vlera mesatare e pritur mesatar ndikohet disi nga pritshmëritë më ekstreme. 20% e ekspertëve e parashikojnë kursin në nivelin e 95-96 lekëve. Ndërkohë, pjesa më e madhe e ekspertëve, 47% tyre, parashikojnë një kurs mesatar në intervalin 100-101 lekë. Kjo do të nënkuptonte ringritje të lehtë të kursit pranë vlerave mesatare të shënuara gjatë 9-mujorit 2024.

Megjithatë, që prej muajit maj të këtij viti, kursi ka zbritur në mënyrë të qëndrueshme poshtë mesatares vjetore dhe gjatë tetorit, ka shënuar rekorde të reja historike, poshtë nivelit të 99 lekëve. Sipas agjentëve të këmbimit, tregu vazhdon të karakterizohet nga një ofertë e qëndrueshme e monedhës europiane. Përfundimi i sezonit veror nuk ka sjellë  korrigjim në rritje të kursit të këmbimit.

Shqipërisë, në fillim të muajit gusht, kursi ka qëndruar në vijimësi poshtë kufirit të 100 lekëve. Në fillim të tetorit, Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë përsëri në tregun valutor për të blerë valutë, me qëllim për të mos lejuar rënien e mëtejshme të kursit. Megjithatë, sipas burimeve nga tregu, ndërhyrjet e fundit kanë qenë në përmasa më të vogla, duke shënjestruar blerje vetëm në ato banka që kanë ofruar kurs më të ulët në blerje./ Monitor

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit