-sidi education-spot_img
19.5 C
Tirana
-sidi education-spot_img

Lela: Arrestimi i Çyrbes, sinjali i dekriminalizimit të ish-PS-së dhe fryma e opozitës

Kryesoret

Drejtori i Zyrës së Shtypit dhe Komunikimit në PD, Alfred Lela ka reaguar pas arrestimit të ish-deputetit socialist Jurgis Çyrbja.

Postimi i plotë

Arrestimi i deputeti socialist Jurges Çyrbja, nuk është vetëm sinjali i radhës për formën e plotë të dekriminalizimit të ish-Partisë Socialiste, të pagëzuar Rilindje nga Edi Rama, por edhe rishfaqje e hipokrizisë së trashë, si te një pjesë e komentariatit politik, por edhe të opinionit publik, mbi ato që quhen ‘shanse të opozitës’, apo ‘frymë’, e me radhë.

E kam fjalën për POR-in e mendjeve të prishura, që si një eureka arkimediane, në çdo bisedë televizive apo kafene kur, sapo fliten dy rreshta për skandalet e qeverisë, futet në bisedë ajo që është kthyer tashmë në armë të ftohtë të vrasjes së debatit, të mendimit, por edhe gjithë diskurit dhe procesit politik ‘qeveria nuk është mirë, POR edhe opozita…”.

Ky alarm është edhe më i fortë se ezanet e paprajshme në arabishte të xhamisë së re të Tiranës, sidomos tani. Në këtë pikë të sezonit politik, kur flitet për lista të hapura apo shanset e politikanëve të rinj, prurjeve nga shoqëria, një gare të barabartë dhe të ndershme në zgjedhjet e pritshme, e kështu me radhë.

Çka përgjimet e zbardhura të platformave Encrochat dhe Sky ECC kanë zbuluar me flligështi dhe madhështi njëheri, është fakti se në Shqipëri nuk ka më zgjedhje. Profili i deputetit të preferuar është i pashkolli lokal (në rastin më ‘edukativ’ me diploma të blera), me kundravajtje ligjore etj., por që mbështetet nga bandat e zonës. E kemi parë këtë demonstrim, të forcës dhe mjerimit njëkohësisht, në Krujë, Durrës, Lezhë, Shkodër apo Pukë. Kur dëgjoni këto emërtime të Gegnisë, mos t’ju shkojë jarga e ëmbël e krahinarizmit te përfundimi i trashë ‘domosdo veriorët, kështu janë e kështu preferojnë’. Krejt e kundërta është e vërtetë: këto profile politike, nga Durrësi dhe deri në Kukës, kanë qenë dhe mbeten inxhinjeringu socio-politik i Edi Ramës. Ai nuk e ka patur të njëjtën nevojë për Toskërinë, sepse Jugu i thellë, Labëria dhe Bregu sidomos, kanë qenë zona tradicionalisht të majta-historia luan rol në aktualitetin politik-, në këto treva u lindën brigadat partizane dhe këtu u mbështet diktatura për kuadrot e lartë për 45 vjet.

Po ta vini re, elementin kriminal në Jug Rama e ka mbajtur pranë, por vetëm në rol mbështetës- asnjëherë në vijë të parë, duke u furnizuar me kandidatë për deputetë dhe prijës politikë të zonave, ose nga familjet thellësisht komuniste ose te biznesmenët.

Përtej kësaj radiografie të trupit politik Veri-Jug, pyetja për komentariatin politik mbetet: si mundet opozita tradicionale-dmth PD apo dhe partitë e reja të llojit Qori-Lapaj, të konkurojnë si në Jug dhe në Veri me një infrastrukturë mbështetëse të këtyre tipologjive? Si munden që kandidatët për deputetë të opozitës, nga pjesa e paprovuar, intelektualë të angazhuar, njerëz që nuk kanë qenë as ministra, as deputetë, as drejtorë dhe ofiqarë të lartë, të përballen me një superstrukturë politiko-kriminale.

Edhe këtë herë përballja do të jetë mes të tmerrshmëve të Rilindjes dhe tipologjisë ‘mezi shtyhen’ të PD. Në mes të këtij sanduiçi, e pamundur dhe dekorative, do të jetë tipologjia e paprovuar e partizave të reja, jo më shumë se erëza që e bëjnë demokracinë të duket deri diku funksionale, dhe ofertat e përhershme si medium rare i një bifteku për oreksin e gjithkujt në ushtrinë e elektorëve nga Jugu në Veri.

Edi Rama, sigurisht, e ka filluar operacionin që ta shkarkojë veten nga narrativa se e ka kriminalizuar politikën dhe zgjedhjet. Platforma “Deputeti që duam” ka këtë qëllim: lista e tij do të jetë e spërkatur me helenat, si ajo që pamë në Asamblenë e fundit të PS.

Naivitet në vend të kriminalitetit, kjo do të jetë uberoferta e re elektorale e Edi Ramës.

Por, kujtojeni fazën e parë të ‘dekriminalizimit’. Deputetët që KM gradoi si prijës lokalë, duke i marrë nga radhët e të fortëve të zonave, pasi ranë në morsetat e dekriminalizimit-nismë ekskluzive e PD- nuk u pensionuan politikisht, por u shndërruan në udhëheqës politikë ex oficcio. Ata mbetën nëpër zona duke luajtur të gjitha fijet, kontrolluar punësimet dhe tenderat, trafikun e drogës dhe vrasjet.

Kontroll total nëpërmjet terrorit.

Mos jini edhe ju naivë sa helenat. Të njëjtën strategji do të përdorë edhe këso here. A ka një dalje? Ekzorcizëm nuk mund të jetë, por një zgjidhje, qoftë edhe e pjeshme vjen prej futjes së dy elementëve në procesin politik. Ngritja e Komisionit parlamentar të së Vërtetës, për të identifikuar dhe prerë lidhjet e politikës me krimin, dhe një qeveri asnjanëse teknike, që mundëson zgjedhje relativisht të lira dhe të barabarta.

Çdo rrugë e vjetër, me neonët e rinj të helenave të Ramës, është shteg i sigurt për te humnera, dorëzim përfundimtar i procesit politik në Shqipëri në duart e një politike që shërben si vitrinë legjitimuese e krimit.

/5pyetjet.al

spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
spot_img
- Advertisement -spot_img

Më tepër

- Advertisement -spot_img

Lajmet e fundit