Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, i drejtuar nga Gazment Bardhi, ka filluar një vizitë zyrtare në Parlamentin Europian. Gjatë takimeve me eurodeputetët e grupit “Renew Europe”, Bardhi theksoi rëndësinë e informimit të plotë mbi situatën politike në Shqipëri, duke u shprehur se është e papranueshme që një vend kandidat për në BE të ketë një sistem ligjor të dobësuar dhe të ketë eliminuar zgjedhjet e lira.
Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës për lidhje me krimin e organizuar dhe për përpjekjet për të asgjesuar opozitën përmes burgosjeve politike.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Nisëm sot takimet në Parlamentin Europian me z. Sandro GOZI, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane, dhe znj. Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësuesë të grupit parlamentar “Reneë Europe”.
Informimi i plotë mbi situatën në Shqipëri ishte në fokus të bisedës, me dy mbështetës të të ardhmes europiane të Shqipërisë. Është e paimagjinueshme për çdo mik europian të Shqipërisë, që të perceptojnë se vendi ynë, edhe pse vend kandidat për në BE, ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjesuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.
Shqipëria është i vetmi vend në Europë që ndërkohë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS, pushteti i kriminalizuar i Edi Ramës synon asgjesimin e opozitës përmes burgosjeve politike të lidershipit të opozitës, duke na rikthyer 34 e më shumë vjet pas dhe duke vënë në pikëpyetje serioze demokracinë.