Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi burgosjen e Ilir Metës, duke theksuar se vendi po përjeton një dhunë të paparë ndaj opozitës, me synimin për një Shqipëri pa opozitë.
Ai përshëndeti deputetin Ervin Salianji dhe Metën, të dy në qeli, duke i cilësuar ata si qëndrestarë të kauzës së opozitës. Berisha kritikoi gjithashtu Edi Ramën për falenderimin e Putinit, duke e akuzuar për probleme të thella politike.
Ai e krahasoi Shqipërinë me vende si Uganda, Tunizia dhe Bjellorusia.
“Mirëmbrëma dhe përshëndetjet e mia më miqësore, më të ngrohta, mirënjohjen time më të pakufishme, të gjithë ju qëndrestareve dhe qëndrestarëve të pamposhtur, misionareve dhe misionarëve të kauzës së drejtë të çdo shqiptari.
Një përshëndetje të përzemërt sot për të gjithë oratorët e kësaj platforme, tribune, të fjalës së lirë që përcjellim çdo natë, të vërtetat e këtij regjimi antishqiptar.
Përshëndes deputetin Ervin Salianji, në qelitë e burgjeve të diktaturës, aty ku është.
Përshëndes kryetarin e PL-së, Ilir Meta në qelitë e burgjeve të diktaturës.
Të dashur miq! Shqipëria sot ngjet me Ugandën e Mushevinit, ngjet me Tunizinë e Sajedit, me Bjellorusinë e Llukashenkos. Vendi përjeton një dhunë e terror të paparë, në asnjë vend tjetër të Europës, kundër opozitës, me qëllimin e vetëm për një Shqipëri pa opozitë, apo një Shqipëri fasadë opozitë.
Të dashur miq! Sot në Shqipëri ishte për një vizitë presidentja e Komisionit Europian, zonja Ursula Von Der Lyen. Duke i uruar mirëseardhjen dhe falenderimin për këtë vizitë, shtoj se sot Edi Rama në konferencë shtypi, falenderoi presidenten e KE-së, për mbështetjen që ajo dhe Komisioni i ka dhënë procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.