Ashtu sikur ishte njoftuar, në orët e para të ditës së sotme ka mbërritur në Durrës anija me kontejnerët që dyshohet se kanë mbetje toksike.
102 kontejnerët në muajin Korrik u nisën nga Durrësi drejt Tajlandës, por kjo e fundit ndaloi mbërritjen aty për shkak të dyshimeve për mbetjet dhe e ktheu pas ngarkesën në vendin e origjinës.
Anija “Moliva” po qëndron 1.5 milje larg Portit të Durrësit, në radën e portit, dhe do të jetë e ankoruar aty për një kohë të pacaktuar. Prokuroria e Durrësit ka kërkuar që kontejnerët të mos preken.
102 në total janë sekuestruar deri në përfundim të hetimeve dhe daljes së analizave nëse janë mbetje të rrezikshme.
Alarmi për transportin e mbetjeve të rrezikshme nga Shqipëria u dha nga Rrjeti i Aksionit të Bazelit (BAN), një organizatë eksperte në çështjet e drejtësisë mjedisore.
Njoftimi i Prokurorisë
Bashkëlidhur me këtë shkresë, po ju dërgojmë për ekzekutim Vendimin e Prokurorit datë 26.10.2024 për sekuestrimin e konteniereve në lidhje me proçedimin penal nr. 1596/2024.
Të gjithë subjeketet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve.
Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vënd të sigurtë si përsa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë.
Sendet e sekuestrua të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre. Praktika e mbajtur për ekzekutimin të dërgohet menjëherë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Anija “Molive” ankorohet në Durrës, dyshohet për mbetje toksike