Mbetjet u kthyen te qeveria e plehrave, sipas nënpresidentes së Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Ajo akuzoi qeverinë për një operacion mafioz ndërkombëtar, duke rikthyer në Shqipëri dy anijet me mbetje toksike.
Xhixho theksoi se udhëtimi i 102 kontejnerëve zgjati mbi tre muaj dhe se kjo është një shuplakë për qeverinë, pas alarmit të ngritur nga Rrjeti i Bazelit. Ajo kërkoi transparencë maksimale në testimin e mbetjeve dhe akuzoi qeverinë për përpjekje për të shndërruar Shqipërinë në një vend përmbushës të mbetjeve toksike.
Xhixho: Udhëtimi i 102 kontejnerëve me mbetje zgjati më shumë se tre muaj, për të përfunduar aty ku nisi: në portin e Durrësit. Një shuplakë në fytyrën e qeverisë, falë alarmit të ngritur nga Rrjeti i Bazelit, sepse të gjitha institucionet e sigurisë së vendit mbyllën sytë me urdhër.
Në përpjekje për të shpëtuar nga një skandal tjetër në zinxhirin e shumë të tillëve, dyshimet për manipulimin e testimit mbeten shqetësimi më i madh i qytetarëve. Partia e Lirisë mbetet në krah të qytetarëve që protestuan dje, duke kërkuar me forcë transparencë maksimale në testim dhe zbardhjen e gjithë skemës mafioze.
Qeveria e mbetjeve dhe inceneratorëve nuk mund të fshihet më! Dy anijet e kthyera sot janë vetëm maja e ajsbergut. Projektligji i ri, i cili synon të zëvendësojë ligjin aktual për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve, është përpjekja kriminale e radhës për të shndërruar Shqipërinë në vend tranzit të mbetjeve toksike.
Ne do të përdorim çdo mjet demokratik së bashku me mbështetjen e mijëra qytetarëve dhe shoqërisë civile, për të ndalur planin ogurzi të kësaj qeverie për ta kthyer Shqipërinë në kosh mbeturinash.