Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka theksuar se çështja e pensioneve nuk duhet të ketë ngjyrime partiake, duke u shprehur se rritja e çmimeve preku të gjithë qytetarët, pavarësisht orientimit politik.
Në një video të postuar në rrjetet sociale, ajo deklaroi “Me 20 lekë në ditë sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe. Ky është një problem serioz për pensionistët, të cilët përballen me nevoja të përditshme si ilaçet dhe ushqimet.”
Postimi i Tabakut
Shiko, kjo puna e pensioneve nuk është fare me partizëm. Se çmimet e rritura i paguajnë njësoj si të majtë, si të djathtë.Nuk ka absolutisht asnjë ndryshim. Me 20 lekë në ditë sot nuk blihet as biletë autobusi, as gjysmë kafe në ditë , jo më çmimet e rritura të ilaçeve, të produkteve, të ushqimeve, shporta dhe çdo nevojë tjetër që kanë sot pensionistët. Kur takoni një deputet socialist, herës tjetër, pyeteni: prindërit e tyre çfarë blejnë me 20 lekë në ditë? 8 miliardë euro ka qenë shpërdorim i buxhetit në 10 vitet e fundit! Nëqoftëse duan pensionistët, nga dheu i nxjerrin lekët. Kjo është çështje që nuk duan dhe nuk i rrisin pensionet!