Qeveria ka miratuar një projektligj për krijimin e forcës së rezervistëve në Shqipëri. Ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu tha se ky ligj jep disa mundësi angazhimi, qoftë për personelin ushtarak që është liruar në vitet e kaluara dhe që shprehin dëshirën për t’u rikthyer, qoftë për ushtarakët që dalin.
“Një kategori janë ushtarakët në lirim që janë liruar para pak vitesh ose para pak muajsh të cilëve u lind e drejta që të riaktivizohen në Forcat e Armatosura me shprehjen e një dëshire të tyre. Kategoria e dytë janë ushtarakët që janë larguar nga Forcat e Armatosura jo për dëshirë të tyre por se kanë kaluar afatet e gradimit. Tashmë kanë instrumentin që të kthehen në mënyrë aktive. Kemi në Forcat e Armatosura 400 ish-personel që u lind e drejta që të na kërkojnë që të aktivizohen si rezervistë. Mundësia tjetër përbëhet nga individë që kanë punuar gjithë jetën civilë qoftë në shtet, qoftë në privat dhe shprehin vullnetin e tyre për të pasur një kontribut si rezervist”, u shpreh ministri.
Më pas ai tha se disa nga kriteret janë mosha dhe pastërtia e figurës.
“Kemi për ushtarakët aktivë të thjeshtë për të hyrë në forcë rezerviste maksimalja është moshë 50 vjeç, për oficerët është 55 vjeç dhe për gradat madhore 60 vjeç. Edhe këto kritere duhen patur parasysh para se ish-ushtarakët të bëjnë kërkesën për rikthim në forcën rezervë”, tha Vengu.