Deputeti i PD-së, Edi Paloka është irrituar me përgjigjet që dha mbrëmë kryeministri Edi Rama për disa çështje duke nisur nga pensionet.
“Unë ka kohë që nuk i ndjek më emisionet e darkës në mediat shqiptare. Kam vendosur të bëj një lloj detoksikimi! Sidoqoftë jam i detyruar të ndjek informacionet kryesore dhe komentet që bëhen pas këtyre emisioneve. Dy elementë evidentova sot pas emisioneve të mbrëmshme ku në dy TV kombëtare ishin njëkohësisht lideri i opozitës, në arrest prej më shumë se 300 ditësh, dhe kreu i qeverisë.
Së pari, megjithëse Berisha çdo mbasdite jep qëndrimet e tij dhe të PD për çdo problem apo ngjarje të ndodhur në Shqipëri, në atë që tashmë njihet si “Rruga e Shpresës”; megjithëse minimalisht një herë në javë është përpara gazetarëve dhe iu përgjigjet gjithë pyetjeve që i bëhen (pra presupozohet që kurioziteti dhe interesi publik për atë që do të thotë Berisha, është i ezauruar), përsëri rezultoi qe Berisha u ndoq më shumë se sa Rama.
Ndërkaq Rama vërtet qëndron më shumë nëpër ekrane, por vetëm me dalje propagandistike e jo përballë interesit të publikut apo pyetjeve të gazetareve, edhe pse shumica e tyre pyetjet i marrin po nga zyrat e Rames!
Pra dhe një here, publiku do duhej të ishte me i interesuar të dëgjonte Ramën dhe përgjigjet që ai do të jepte për dhjetëra pyetje që ngrihen sot për një kryeministër, qeveria e të cilit dhe ai vetë kalojnë nga skandali në skandal. Por kjo nuk ndodhi. Publiku ndoqi më shumë Berishën. Pse ndodh kjo?
Për shumë arsye në fakt, por me kryesorja është që askush nuk i beson e nuk pret më përgjigje prej Ramës! Edhe gazetarët që e intervistojnë, nuk arrijnë të marrin asnjë përgjigje prej tij, po pavarësisht kësaj, nuk këmbëngulin me pyetjet sepse dhe ata vihen nën presion që të ruajnë një linjë, e cila mos ta mërzisë shume lartgjatësinë e tij.
E këtu dalim tek elementi i dytë që evidentova me kënaqësi nga emisionet e mbrëmshme; pyetjet që gozhduan Ramën nuk ishin të gazetarit, por të qytetarëve. Nuk e di nëse kjo ishte gjetje e qëllimshme e gazetarit apo rastësi, por rezultati është ai që ka rëndësi në këtë rast. I gjithëdituri, që së fundmi u vetëcaktua dhe në krye të shkencës shqiptare, megjithëse ishte përpjekur të bënte dhe si profesor ekonomie, në fund kishte mbetur pa gojë përballë pyetjeve të disa “plakave” (siç i quan ai kur i prishin terezinë), sepse gjithmonë propaganda mbetet pa gojë përballë realitetit” shkruan ai.