Gjatë ceremonisë hapëse të edicionit të nëntë të Shkollës Europiane, Jorida Tabaku, Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit Europian, theksoi rëndësinë e momentit që po kalon Shqipëria në procesin e integrimit me Bashkimin Europian.
Ajo falënderoi ambasadorin Gonzato për mbështetje dhe theksoi nevojën për një axhendë të qartë dhe me prioritet, duke përmendur se 225 pjesëmarrës po kontribuojnë në këtë iniciativë.
“Kemi pasur shumë punë për të vendosur një axhendë të përshtatshme dhe me prioritet dhe ambasadori nuk hoqi dorë, për të zhvilluar edhe këtë vit me kapacitet të plotë shkollën. Këtë vit kemi një numër rekord pjesëmarrësish, 225 persona, të cilët kanë rezultuar në këtë klasë sot që shpresoj që të jetë më e mira nga të gjitha grupet që ne kemi nisur. Ndodhemi në një moment shumë të rëndësishëm, janë hapur negociatatat dhe ka një sfidë të jashtëzakonshme për administratën publike, bashkitë që do të zbatojnë 70% të legjislacionit europian, por edhe për biznese”, u shpreh Tabaku
Tabaku u shpreh se negociatat duhet të përfshijnë të rinjtë dhe të reflektohen në jetën e qytetarëve, duke kërkuar një angazhim më të madh për të sjellë ndryshime reale dhe për të inkurajuar qëndrimin e të rinjve në Shqipëri.
“Axhenda është goxha interaktive edhe me ndihmën e delegacionit të BE-së, por edhe me ndihmën e ambasadorit, që ju ndihmon që nga rregullat e ligjit deri te pikëpamja e elementëve që duhet të konsiderohen gjatë këtij procesi. Ndodhemi në një moment kur energjia e kujtdo duhet të kanalizohet te këto ndryshime, të nisim një diskutim për kriteret ekonomike, përtej atyre politike. Procesin e integrimit mos ta kemi në letër, por me ndryshime reale për qytetarët shqiptarë. Dua që të rinjtë të kontribuojnë dhe të jetojnë këtu, e të ndikojmë edhe te kthimi i të trurit nga jashtë. Të refuzojmë largimin dhe të kontribuojmë këtu”, u shpreh Tabaku.