Amerika… mezi pret që gara historike elektorale të përfundojë dhe po përgatitet për atë që vjen më pas. Kamala Harris apo Donald Trump? Ka ardhur koha për të zbuluar se cili nga të dy do të jetë presidenti i ri i Amerikës.
Amerikanët po i kushtojnë vëmendje sondazheve në fund të një fushate politike që ka ngritur rrezikun, duke rritur ankthin dhe tensionin, që do të thotë se pasojat nga këto zgjedhje mund të jenë shpërthyese.
Ky është një komb i ndarë në dysh, mes vizioneve të kundërta të asaj që është në rrezik. Në qendrat e votimit Amerika e Kuqe dhe Blu do të takohen dhe do të numërohen.
Ajo që është bërë e dukshme në këtë fazë parazgjedhore është zemërimi, diskreditimi dhe urrejtja mes dy kampeve. Askush nuk hedh ujë në verë, askush nuk hedh ura, askush nuk është i gatshëm të bashkëpunojë.
Në fakt, në një kohë kur planeti ka hyrë në aventura të mëdha me luftërat në Ukrainë, Izrael e në shumë vende të tjera, kjo ndarje në “fuqinë” më të madhe në botë, nuk bën gjë tjetër veçse mirë.
Cilido qoftë rezultati, afërsisht gjysma e vendit do të zbulojë se gjysma tjetër ka një kuptim shumë të ndryshëm të asaj që kërkon Amerika.
Për të humburit, ky do të jetë një realizim i dhimbshëm.
Vendvotimet mund të jenë hapur sot, por rezultati tashmë është vendosur: Amerika mbetet një vend thellësisht i ndarë, një fakt që mund t’i kushtojë në të ardhmen.
Pavarësisht se kush e fiton garën për Shtëpinë e Bardhë, dominimi i Perëndimit po sfidohet siç nuk ka qenë në 500 vjet.
Sa më sipër dëshmohet nga fakti se Uashingtoni po përgatitet për protesta apo trazira të mundshme pas zgjedhjeve.
Kapitoli i SHBA-së, Shtëpia e Bardhë, Departamenti i Thesarit dhe rezidenca e zëvendëspresidentit në Uashington janë ndër ndërtesat qeveritare ku janë instaluar gardhe mbrojtëse.
Asnjë parashikim nuk është i sigurt dhe potenciali për pasiguri të zgjatur, veçanërisht nëse Trump humbet me një diferencë të ngushtë, është i lartë.