Këngëtarja shqiptare Rita Ora ka nderuar kujtimin e Liam Payne në mbrëmjen e MTV Europe Music Awards (EMAs), e cila u mbajt në Mançester.
Ky moment ndodhi pothuajse një muaj pas vdekjes tragjike të yllit të “One Direction”. Rita Ora, e cila ka bashkëpunuar me Payne në hitin “For You” në vitin 2018, e kujtoi atë si një nga njerëzit më të sjellshëm që ka njohur. Liam Payne, i cili pati një karrierë të suksesshme solo pas largimit nga One Direction, ka lënë një trashëgimi të madhe muzikore.
“Dua të ndaloj një moment për të kujtuar dikë që ishte shumë i dashur për të gjithë ne. Liam Payne ishte një pjesë e rëndësishme e botës së MTV-së dhe një pjesë e madhe e jetës sime. Ai ishte një njeri i sjellshëm, gjithmonë i gatshëm të ndihmonte, dhe solli gëzim kudo që shkonte,” tha ajo.
Pas vdekjes së tij në Buenos Aires, fansat kanë mbajtur homazhe në qytete të ndryshme si Londër dhe Mançester.









