Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, do të lërë sot qelinë e burgut për t’u rikthyer në Kuvend dhe për të dëshmuar para Komisionit Hetimor të Shëndetësisë lidhur me dy koncesionet kontroverse, atë të sterilizimit dhe të check-up-it. Beqaj është nën hetim nga SPAK për dy dosje: një për koncesionin e sterilizimit dhe një tjetër për abuzim me fondet e SASPAK. Për akuzat në lidhje me koncesionin e sterilizimit, Beqaj po hetohet me masën e sigurisë “detyrim me paraqitje”, ndërsa për çështjen e abuzimit me fondet, ai është në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Komisioni Hetimor ka afat deri të enjten për të përmbyllur hetimet, por partitë opozitare kanë kërkuar shtyrjen e këtij afati. Gjatë seancës së djeshme, në komision dëshmoi për pesë orë biznesmeni Ilir Rrapaj, fituesi i kontratës koncesionare për sterilizimin e pajisjeve spitalore. Rrapaj, i cili u paraqit me pranga, mohoi çdo lidhje miqësore me ish-ministrin Beqaj dhe me ish-drejtorin e shëndetësisë, Klodjan Rjepaj.
Koncesioni i sterilizimit, i firmosur në vitin 2015, ka një vlerë prej afro 100 milionë dollarë dhe iu dha kompanisë SaniService, një bashkim kompanish ku Ilir Rrapaj është zotëruesi kryesor i aksioneve, përkrah kompanive italiane “Servizi Italia”, “Tecnosanimed” dhe “U.Jet S.r.l” të Staccinit.