Gjyqtarët e Romës kanë bllokuar sërish planin e qeverisë italiane për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, duke anuluar transferimin e shtatë emigrantëve që ishin vendosur në kampin e Gjadrit dhe i kthyen ata në Brindisi.
Ky vendim ka ngjallur reagime të forta, përfshirë një mbështetje nga miliarderi Elon Musk, i cili ka dalë në krah të kryeministres italiane Giorgia Meloni.
Musk ka kritikuar gjyqtarët e seksionit të emigracionit në Romë, duke shkruar në rrjetet sociale “Këta gjyqtarë duhet të ikin”. Komenti i tij erdhi pas vendimit të Gjykatës së Romës që pezulloi dekretin e qeverisë për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, duke e çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Nga ana tjetër, qeveria Meloni ka shprehur vendosmërinë për të vazhduar me apelimin e vendimeve të gjykatave italiane, të cilat i sheh si të politizuara, dhe është e gatshme të luftojë në nivelin e Gjykatës Evropiane për të realizuar planin e saj mbi emigracionin.