Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Samitin e Klimës COP29 në Baku, Azerbajxhan, ku ka pasur një takim me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheikh Muhammed Bin Zayed. Rama e cilësoi presidentin Zayed si një “mik të rallë” të Shqipërisë dhe theksoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta që po zhvillohen mes të dy vendeve.
Rama dhe Zayed diskutuan për përparimin e disa iniciativave kyçe, si krijimi i kompanive të përbashkëta për prodhimin e energjisë, projektet për shtypshkrimin e letrave me vlerë dhe avancimin e linjës së interkonjeksionit energjitik me Italinë.
‘Baku, Azerbajxhan – Mbrëmë me Presidentin e Emirateve të Bashkuara, Sheikh Muhammed Bin Zayed, një mik i rrallë dhe dashamirës i madh i Shqipërisë, me të cilin folëm për ecurinë e mirë të disa projekteve të rëndësishme që po hyjnë në fazën e zbatimit, nga krijimi i kompanive të përbashkëta publike të prodhimit të energjisë (KESH-Mazdar) dhe shtypshkrimit të letrave me vlerë, linja e interkonjeksionit me Italinë në partneritet tripalësh, e deri tek sistemi i ri digjital i kontrollit të trafikut; zhvillime tejet të rëndësishme për forcimin dhe modernizimin e sektorit publik në Shqipëri’, shkruan Rama.