Presidenti i sapo zgjedhur, Donald Trump, ka zgjedhur guvernatoren e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, për të drejtuar Departamentin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, sipas disa burimeve të njohura me vendimin, raporton CNN.
Noem, një besnike e ngushtë e Trump, do të marrë përsipër një agjenci kyçe, që mbikëqyr operacionet nga doganat dhe mbrojtjen e kufijve, deri tek emergjencat dhe shërbimi sekret amerikan. Zgjedhja e saj vjen në një moment kur dy figura të njohura të linjës së ashpër ndaj emigracionit, Stephen Miller dhe Tom Homan, do të shërbejnë gjithashtu në role të rëndësishme, duke theksuar angazhimin e Trump për të luftuar emigracionin ilegal.
Noem, që ishte dikur në listën e mundshme për zëvendëspresident, tani do të marrë udhëheqjen e një agjencie të fuqishme që është në zemër të politikës së sigurisë kombëtare të Trump.