Ambasada britanike në Kosovë ka dhuruar katër dronë për Policinë e Kosovës, në kuadër të një marrëveshjeje për forcimin e partneritetit dhe bashkëpunimit. Dronët, të cilët do të përdoren për identifikimin, gjurmimin dhe monitorimin e automjeteve dhe personave të dyshimtë, do të ndihmojnë njësitet policore në raste të ndryshme, duke ofruar imazhe me cilësi të lartë.
Në një ceremoni zyrtare, Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti, dhe Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves, nënshkruan marrëveshjen për pranimin e donacionit. Policia e Kosovës tha se këto pajisje të specializuara do të luajnë një rol kyç.
“Pajisjet e specializuara do të luajnë një rol jetësor në Polici të Kosovës, do të rrisin dhe do të profesionalizojnë edhe më tej punën e Policisë së Kosovës, në veçanti të njësiteve kufitare të cilat kujdesen për parandalim të krimit transkufitar, kontrabandës dhe migrimit të paligjshëm.”
Policia e Kosovës ka falënderuar ambasadën për mbështetje dhe ka theksuar se ky donacion do të kontribuojë në forcimin e sigurisë dhe rendit publik.