Policia e Kurbinit ka arrestuar 48-vjeçarin Përparim Kurti, pronar i një subjekti që kryente veprimtari të paligjshme, duke gërryer lumin Mat dhe marrë inertet. Aktiviteti i këtij subjekti, i cili ishte në kundërshtim me ligjin, dëmtonte mjedisin dhe zhvillohej pa dokumentacionin përkatës, me punonjës të paregjistruar dhe me fshehje të të ardhurave të përfituara.
Operacioni i koduar “Riverside” u finalizua nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me IKMT, dhe çoi në sekuestrimin e tre mjeteve të rënda – një kamion dhe dy ekskavatorë – të cilët përdorej për këtë veprimtari të kundërligjshme. Përveç arrestimit të pronarit, iu vendos gjithashtu një gjobë administrative prej 2 milion lekësh.
Policia apelon për të gjitha subjektet që merren me përpunimin e inerteve në shtretërit e lumenjve, t’i respektojnë dispozitat ligjore dhe lejet përkatëse, përndryshe do të sekuestrohen mjetet dhe do të ndalohet vijimi i aktivitetit të paligjshëm.