Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim gjeneralin Wesley K. Clark, ish-komandant suprem i NATO-s për Europë, i cili udhëhoqi ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
Gjatë takimit, Osmani e falënderoi Clark për vendosmërinë dhe lidershipin e tij.
“Vendosmëria dhe lidershipi juaj i kontribuuan lirisë së Kosovës, duke siguruar një të ardhme ku dinjiteti mbizotëron mbi frikën dhe shtypjen”, ka thënë Osmani, siç njofton Presidenca.
Presidentja Osmani theksoi progresin e Kosovës që nga periudha e pasluftës, duke vënë në pah angazhimin për forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës dhe përpjekjet për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
Ajo gjithashtu theksoi qëllimin e Kosovës për të arritur integrimin euroatlantik dhe të zhvillojë një partneritet të qëndrueshëm me Shtetet e Bashkuara.