Gjykata e Lezhës ka vendosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje” dhe bllokimin e pasaportës për kryetarin e Njësisë Administrative Fushë-Kuqe, Kristo (Fred) Martinaj, i cili u arrestua dy ditë më parë me akuzën për zaptim të tokës në Lagunën e Patokut.
Gjyqtarja Edlira Çota pranoi kërkesën e prokurorit Francesk Ganaj, duke e lënë Martinajn të lirë, por nën masa sigurie.
Arrestimi i Martinajt u bë pas dyshimeve se ai kishte porositur individë për të hedhur inerte dhe material ndërtimi në lagunën pranë lokalit të tij në Patok. Përveç akuzës për zaptimin e tokës, ndaj tij rëndon edhe akuza për shpërdorim detyre. 55-vjeçari nuk ka pranuar akuzat, ndërsa hetimet për ngjarjen vazhdojnë.