Ministri i Shëndetësisë i Kroacisë, Vili Berosh, është arrestuar mëngjesin e sotëm nga Zyrat Kombëtare të Policisë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Arrestimi i tij erdhi pas një hetimi të gjerë lidhur me një skemë të dyshuar korrupsioni, që ka të bëjë me blerjen e pajisjeve mjekësore me çmime të fryra.
Sipas raporteve të para, hetuesit po hetojnë blerjen e mikroskopëve për neurokirurgjinë, të cilët dyshohet se janë paguar shumë më tepër sesa çmimi real i tyre. Hetimi ka përfshirë gjithashtu disa mjekë në pozita të larta dhe drejtorë të spitaleve, të cilët janë dyshuar për përfshirje në këtë skemë.
Policia ka kryer veprime në disa lokacione në zonën e Zagrebit dhe Skradinit, duke vënë në shënjestër edhe një numër zyrtarësh të lartë, përfshirë një nëpunës të lartë civil. Pas marrjes në pyetje, hetuesit do të përcaktojnë hapat e ardhshëm në këtë hetim, i cili do të bëhet i njohur për publikun në një njoftim të ardhshëm.