Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka sulmuar ashpër kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj, duke e cilësuar atë një “njeri pa moral” dhe “hajdutin më të madh” që Bashkia e Tiranës ka njohur ndonjëherë.
Gjatë një tubimi qytetar në Rrugën e Shpresës, në ditën e 319-të të protestave, Berisha ka akuzuar Veliaj për një sërë vjedhjesh, duke përfshirë dështimin e djegësit të Tiranës dhe keqmenaxhimin e fondeve për mbjelljen e pemëve. Berisha ka kërkuar që Veliaj të marrë përgjegjësi për këto abuzime dhe ka thënë se ai duhet “varur” si një shenjë turpi për kombit shqiptar.
Mirëmbrëma dhe përshëndetjet më të përzemërta.
Mirënjohjen më të pakufishme ju, qëndrestare dhe qëndrestarëve të pamposhtur, të kauzës së drejtë të qytetarëve shqiptarë, të kauzës së dinjitetit, të lirisë dhe interesit kombëtar.
Një përshëndetje të përzemërt, oratorëve të kësaj platforme, tribune të vërtetë të fjalës së lirë, që me fjalën e tyre ndriçojnë dhe frymëzojnë zemrat dhe mendjen e shqiptarëve.
Një përshëndetje të përzemërt, qytetarëve të mosbindjes civile para bashkisë së Tiranës, që protestojnë kundër një hajduti që e turpëron emrin njeri.
Kundër një hajduti të pamëshirë, që nisi karrierën e tij duke vjedhur të gjitha financat e Mjaft dhe përfundoi duke vjedhur kompjuterin e tyre.
Si një njeri pa asnjë lloj norme morale, u shndërrua në hajdutin më të madh që ajo ndërtesë ka njohur në tërë ekzistencën e saj.
Të dashur miq!
Erion Veliaj me zhdukjen e 130 milionë eurove te djegësit të Tiranës që nuk ekziston, me grabitjen e fondeve të 1 milionë pemëve që s’janë mbjellë as 1 e njëmijëta e tyre, që është blerë pisha 6700 euro, me dasmën që bëri ky bandit me para, dhe që thoshte i kam nga mamaja, paçka se tenderin e kishte fituar vëllai i tij, Erion Veliaj duhet varur sa më parë në shtyllën e turpit të kombit shqiptar.