Komisioneri i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, kërkoi një buxhet prej 9.4 miliardë lekësh për zgjedhjet e vitit 2025. Ai njoftoi se votimi elektronik do të realizohet vetëm në Tiranë, me një kosto prej 1.7 miliardë lekë.
“Nuk e kemi dakordësinë e të gjitha palëve. Ka një dakordësi nga njëra anë e politikës për zhvillimin e votimit elektronik në Tiranë dhe mungesë dakordësie nga pala tjetër. Gjithsesi, si institucion, kjo nuk duhet të na ndalojë. Jemi duke punuar dhe shumë shpejt do të kemi një komunikim tjetër, joformal”, tha Celibashi.
Celibashi tha se ka pasur dakordësi për këtë nga disa parti, por ende nuk është arritur një marrëveshje e plotë.
Po ashtu, kërkohen shtesa për mirëmbajtjen e infrastrukturës teknologjike dhe për investime në administrimin e pamjeve filmike dhe logjistikës zgjedhore.