Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha së bashku me Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, nga Tirana nisën prezantimin e 12 drejtorëve vendorë.
“Emërimi i Elton Alushit përfaqëson jo vetëm një hap përpara në konsolidimin e strukturave të sigurisë, por edhe një angazhim të ri për të përmbushur pritshmëritë e qytetarëve të kryeqytetit, ku sfidat janë të shumta dhe dinamike, nën vizionin “Shqipëria 2030” tha Hoxha.
Ai tha më tej se Tirana, si zemra administrative, ekonomike dhe sociale e vendit, kërkon një Polici, që jo vetëm të jetë vigjilente dhe efektive në parandalimin dhe luftën ndaj krimit, por edhe një polici që të jetë e afërt me komunitetin, duke ndërtuar ura besimi e bashkëpunimi.
Hoxha kërkoi zbardhjen e shpejtë të ngjarjeve kriminale, si dhe rihapjen e hetimeve për ngjarje të vjetra, të cilat janë shkak për zinxhir pasojash, nëse mbeten pa u ndëshkuar.
Në Durrës u prezantua Drejtor Vilson Bala.
“Ky qytet ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit, si një portë hyrëse për Shqipërinë. Kjo e bën atë të përballet me sfida komplekse në fushën e sigurisë publike dhe luftën kundër kriminalitetit.
Për këtë arsye, drejtimi i strukturave policore në këtë zonë kërkon një vizion të qartë, strategji dhe përkushtim maksimal për zbatimin e ligjit me paanshmëri dhe profesionalizëm”, u shpreh ministri në takim me strukturat drejtuese të DVP Durrës.