Në kuadër të 80-vjetorit të Çlirimit të Tiranës, Partia e Lirisë (PL) ka zhvilluar homazhe tek Ushtari i Panjohur për të nderuar viktimat e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Blushi, shprehu mirënjohjen për sakrificat e popullit të Tiranës dhe vlerësoi luftën për çlirimin e kryeqytetit.
Ai theksoi se ky moment duhet të shërbejë si një ditë reflektimi për rininë dhe qytetarët e Tiranës, duke i ftuar ata të angazhohen për të kthyer lirinë e cënuar dhe për të çliruar qytetin nga uzurpatorët dhe kolonizatorët që kanë abuzuar me pushtetin.
Fjala e plote e Sekretarit të Përgjithshëm, Blushi:
Me krenari të ligjshme, me mirënjohje dhe nderimin me te thellë, po kujtojmë sot një nga ngjarjet më të mëdha të luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, 80- vjetorin e Çlirimit të Tiranës.
Mirënjohje për të gjitha familjet e Veteranëve, të cilët trashëgojnë brez pas brezi vlerat e luftës Antifashiste.
Gjithashtu dua të theksoj se sot është edhe një ditë reflektimi, në veçanti për të rinjtë dhe të rejat e Tiranës dhe të mbarë vendit, për të marrë në dorë fatet e tyre me përgjegjësi, me më shumë angazhim, për ti rikthyer Tiranës lirinë e marrë peng nga uzurpatorët dhe kolonizatorët e këtij qyteti.
Mirënjohje dhe nderim për gjakun e derdhur për çlirimin e Tiranës, mirënjohje për sakrificat e popullit të Tiranës, që 80- vite më parë i kthyen shtëpitë, i kthyen barrikadat në fortesa të pathyeshme në luftën kundër pushtuesit Nazi-Fashist.
Faleminderit!