Ish-anëtari i Gjykatës së Lartë, Darjel Sina, ka ndërruar jetë sot në moshën 45-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë, tumori, nga i cili vuante prej kohësh. Sina ka qenë i shtruar për trajtim në QSUT për tre ditë, ku ndodhej në intubim, pas një periudhe të gjatë trajtimesh të mëparshme edhe në vende të tjera si Danimarka, Italia dhe Dubai.
Darjel Sina ka pasur një karrierë të spikatur akademike dhe profesionale. Ai ka përfunduar studimet e doktoratës në Zvicër dhe ka punuar si profesor dhe studiues në disa universitete prestigjioze. Përveç karrierës akademike, Sina ka pasur edhe pozita të rëndësishme, përfshirë si Komisioner Publik dhe më parë si Shef i Departamentit të Drejtësisë në Universitetin e Nju-Jorkut, në Tiranë.
Në vitin 2021, ai ishte përzgjedhur nga Departamenti Amerikan i Shtetit për të përfaqësuar Shqipërinë në programin International Visitor Leadership Program, ku shqyrtoi tematikën “Rule of Law and the U.S. Judicial System”.