Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, ka ndarë pamje nga stërvitja ndërkombëtare “Urban Operations 24”, e zhvilluar në Camp Novo Selo në Bullgari, ku forcat shqiptare morën pjesë dhe treguan aftësi të shkëlqyera. Toga e Regjimentit të Këmbësorisë së Jugut, pjesë e Kontingjentit të IV “FLF BGR”, përmbylli me sukses trajnimet në zonat urbane, duke demonstruar profesionalizëm të lartë dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët e NATO-s.
Ministri Vengu vlerësoi këtë arritje si një dëshmi të investimeve të vazhdueshme në kapacitetet ushtarake shqiptare, të cilat synojnë të përmbushin misione të suksesshme, jo vetëm brenda vendit, por edhe përtej kufijve. Ai theksoi se ky sukses përforcon angazhimin e Shqipërisë për paqe dhe stabilitet në rajon dhe më gjerë. Stërvitja “Urban Operations 24” kishte si objektiv përgatitjen e forcave për operacione komplekse në mjedise urbane dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet aleatëve të NATO-s.