Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, priti sot Ambasadoren jo rezidente të Finlandës në Shqipëri, Leena Pylväänäinen, e cila i dorëzoi Letrat Kredenciale. Gjatë takimit, Presidenti vlerësoi marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe mbështetjen e Finlandës për procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ai theksoi gjithashtu se Shqipëria ishte një nga vendet e para që ratifikoi Protokollet e Anëtarësimit në NATO për Finlandën dhe Suedinë.
Në vijim, Presidenti Begaj theksoi rritjen e bashkëpunimit politik ndërmjet dy vendeve dhe mbështetjen për shkëmbimin e vizitave në nivele të larta shtetërore. Ai gjithashtu shprehu dëshirën për një bashkëpunim të fortë me Finlandën gjatë Kryesimit të saj në OSBE për vitin 2025.