Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shprehu gatishmërinë e tij për të mbajtur një mbledhje të re me Qeverinë e Shqipërisë, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy shteteve janë përmirësuar ndjeshëm. Ai foli për dy mbledhjet e mëparshme të përbashkëta të dy qeverive, gjatë të cilave u nënshkruan gjithsej 58 marrëveshje.
Kurti theksoi se, megjithëse aktualisht nuk ka një mbledhje të tretë të planifikuar për këtë mandat, zbatimi i marrëveshjeve të nënshkruara deri tani ka shkuar shumë mirë.
“Sa i përket mbledhjes së dy qeverive asaj të Shqipërisë dhe Kosovës, ne me Republikën e Shqipërisë i kemi mbajtur dy mbledhje. Tash jemi barazuar pasi dhe me Maqedoninë e Veriut i mbajtëm dy mbledhje. Unë jam i gatshëm, i interesuar, i vullnetshëm që sa më parë ta mbajmë dhe një mbledhje me Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.
Përndryshe 58 marrëveshje i kemi bërë me Shqipërinë. Në ato dy mbledhje dhe zbatimi i tyre, pavarësisht se nuk kemi një mbledhje të tretë në këtë mandat, ka shkuar jashtëzakonisht mirë, dhe më mirë se në të gjitha mandatet e mëhershme”, ka thënë Kurti.