Suedia dhe Finlanda kanë bërë thirrje përgatitjeje të qytetarëve të tyre për mundësinë e luftës, pas situatës së tensionuar të sigurisë në Evropë.
Suedia ka nisur shpërndarjen e pesë milionë pamfleteve, duke i udhëzuar banorët që të përgatiten për kriza të mundshme, përfshirë luftën, katastrofat natyrore dhe sulmet kibernetike. Ky udhëzues i përditësuar është një version i ri i një pamfleti që është shpërndarë që nga Lufta e Dytë Botërore dhe ka pasuar një tjetër në vitin 2018.
Po ashtu, Finlanda ka lansuar një faqe interneti ku ofron informacione të ngjashme për banorët e saj, përfshirë përgatitjen për situata emergjente. Këto masa vijnë pas vendimit të dy shteteve për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s, një hap që e morën pasi Rusia filloi agresionin ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Situata e sigurisë është përkeqësuar dhe autoritetet e këtyre vendeve kërkojnë që qytetarët të jenë të përgatitur për çdo skenar, duke u fokusuar në mbrojtjen e infrastrukturës dhe sigurinë personale në rast të ndonjë përshkallëzimi të situatës.