Një ngjarje tragjike ka ndodhur në Tiranë, ku një 14-vjeçar ka humbur jetën pasi u godit me thikë në zemër, ndërsa një tjetër i ri është plagosur gjatë një sherri që ndodhi afër shkollës “Fan Noli”. Sipas informacioneve të fundit, konflikti mes adoleshentëve ndodhi rreth 150 metra larg shkollës, pas përfundimit të mësimit.
Nga kamerat e sigurisë ka rezultuar se në sherr ishin përfshirë pesë adoleshentë, mes të cilëve viktima dhe i plagosuri, si dhe tre autorët e dyshuar. Njëri prej autorëve është shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjerë janë identifikuar dhe pritet të merret në pyetje.
Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të një përplasjeje në rrjetet sociale, e më pas ka degraduar në përleshje fizike. Sipas spitalit, i plagosuri është në gjendje të qëndrueshme, por ndodhet nën mbikëqyrje të rreptë në repartin e Traumës, pasi ka marrë plagë të rënda. Policia është duke vazhduar hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.