Armando Broja është afër rikthimit në fushë pas një periudhe të gjatë pushimi për shkak të një dëmtimi të rëndë në tendinën e akilit. Pas dy javësh stërvitje me skuadrën e parë të Everton, sulmuesi kuqezi do të luajë me ekipin U21 të klubit nga Liverpool këtë fundjavë. Ky do të jetë një test i rëndësishëm për Brojën, që do të vendosë nëse ai do të jetë i gatshëm për të debutuar në Premier League javën e ardhshme.
Sipas mediave angleze, Broja është një investim i rëndësishëm për Everton, i cili e ka huazuar nga Chelsea me mundësinë e blerjes për 30 milion paund në fund të sezonit. Deri tani, klubi ka paguar vetëm pagën e tij prej 78 mijë paund në javë dhe nuk ka paguar për huazimin deri sa Broja të luajë në ndeshje zyrtare.
Rikthimi i Brojës është një lajm i mirë edhe për kombëtaren e Shqipërisë, e cila do të ketë në dispozicion sulmuesin e saj për sfidat e ardhshme, duke filluar nga viti 2025.