Kreu i SPAK, Altin Dumani, në një intervistë ekskluzive për emisionin “3D” të Alban Dudushit në RTSH1, ka përshkruar vështirësitë me të cilat përballej institucioni gjatë fillimeve të tij dhe rrugën e mundimshme që ka kaluar për të arritur në rezultatet e ditëve të sotme.
“Në dhjetor SPAK bën 5 vjet. Për publikun dhe për ju si media, ndoshta 5 vjet duken shumë, por realisht për një institucion janë shumë pak për të marrë formën që duhet, duke marrë në konsideratë edhe vështirësitë që kemi kaluar si institucion. Ne kemi filluar në 19 dhjetor 2019, kemi qenë vetëm 18 prokurorë, nuk kishim staf administrativ, nuk kishim madje as godinë, nuk bëhej fjalë të kishim mjete për t’i përdorur për hetimin. Nga ana tjetër kishim një fluks shumë të madh procedimesh penale. Trashëguam nga prokuroria e Krimeve të Rënda një numër relativisht të madh dosjesh. Prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm shpallën moskompetencën dhe dërguan shumë dosje në Prokurorinë e Posaçme. Kemi kaluar shumë vështirësish, situata është ndryshe sot”, është shprehur Dumani.
Ai theksoi gjithashtu se cilët funksionarë janë përballur me drejtësinë.
“Sa i takon korrupsionit, besoj se SPAK ka demonstruar këto vite se është në gjendje të ushtrojë ndjekjen penale ndaj çdo subjekti pavarësisht pozitës së tij, profilit tij, sado i lartë të jetë, ne po e bëjmë me prova dita-ditës. Ju e dini se SPAK ka ushtruar ndjekjen penale për funksionarë shumë të lartë, të nivelit të mesëm, të nivelit të ulët, ish-gjyqtarë, ish-prokurorë, për kryetarë bashkish, ish-kryetarë bashkish, anëtarë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, funksionarë shumë të lartë policie”, shpjegoi kreu i SPAK-ut.
Dumani theksoi se SPAK ka goditur grupe kriminale që dikur konsideroheshin të paprekshme.
“Sa i takon krimit të organizuar ka treguar në këto vite se në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë të ushtrojë ndjekjen penale ndaj grupeve të strukturuara kriminale dhe organizatave kriminale që më parë as që mendohej të prekeshin por sot është realitet”, tha më tej Dumani.