Pas arrestimit të autorit të plagosjes së 20-vjeçarit, student në universitetin Metropolitan, policia ka marrë nën hetim edhe një 52-vjeçar që sipas autoriteteve i ka shitur thikën.
“Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 arrestuan shtetasin A. A., 19 vjeç, banues në Kamëz, si dhe proceduan në gjendje të lirë shtetasin E. T. 52 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi A. A. ditën e djeshme, në Qytet Studenti, ka goditur me mjet prerës shtetasin A. D. i cili si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Nga veprimet hetimore të kryera ka rezultuar se autori i dyshuar e ka blerë mjetin prerës nga shtetasi E. T” njofton policia.
I plagosuri Aron Demiraj 20 vjeç ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në spitalin e Traumës. Ai ka plagë në mushkëri, kraharor dhe qafë. Autori Ajdin Ajvazi 19 vjeç ndodhet në qeli dhe nesër pritet që të dalë për masën e sigurisë para gjykatës.
Konflikti nisi brenda Universitetit Metropolitan, në korridor me pretendimet “pse më shkele” dhe vazhdoi me shtyrje mes dy të rinjve. Dje konflikti u agravua duke degraduar në përdorimin e thikës. Ndoshta ngjarja do të ishte parandaluar nëse universiteti do të kishte ndërhyrë për konfliktin e nisur brenda godinës.
Thikat mes dy studentëve të Universitetit Metropolitan! 20-vjeçari rëndë tek “Trauma”