Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, zhvilloi një takim me strukturat e kësaj partie në Shkodër, ku prezantoi programin e tij me pesë pika për zgjedhjet e ardhshme.
Blushi theksoi se, pas marrjes së pushtetit, opozita do të luftojë dhe “shpartallojë të gjitha bandat” që sipas tij kanë marrë kontrollin e qytetit dhe të vendit.
“Ne vijmë sot në këtë qytet, për fat të keq vetëm pak kohë pas ngjarjes tragjike që tronditi jo vetëm Shkodrën, por të gjithë opinionin publik. Një ngjarje shumë e rëndë që nuk tregon asgjë tjetër veç faktit se sot bandat qeverisin Shkodrën, se sot bandat me imunitet politik qeverisin të gjithë vendin, ndaj ne jemi më të vendosur se kurrë për ti dhënë fund kësaj situate dramatike dhe për ti rikthyer Shkodrës ndryshimin që ajo meriton, sepse Shkodra kurrë nuk mund të jetë nën pushtetin e bandave, sepse Shkodra kurrë nuk mund të jetë nën pushtetin e hajdutëve, të cilët e shohin Shkodrën vetëm si një mundësi për të shtuar pasuritë e tyre dhe jo për të rritur mirëqënien dhe begatinë tuaj”, tha Blushi.