Deputeti i Bundestagut të Gjermanisë, Thomas Hacker, ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë mund të rifillojë pas zgjedhjeve të ardhshme në Kosovë, duke shtuar se durimi i Bashkimit Evropian ndaj palëve do të mbarojë shumë shpejt. Sipas tij, periudha kalimtare e Komisionit të ri Evropian mund të shërbejë si një mundësi për një impuls të ri në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.
“Jemi në një periudhë kalimtare të Komisionit Evropian, ku një komisioner i ri për zgjerimin, një grua nga Sllovenia, do të marrë detyrën. Ajo ka njohuri të thella për rajonin dhe kjo mund të hapë mundësi për një rifillim të dialogut,” tha Hacker për Top Channel.
Ai theksoi se përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë janë bllokuar deri tani, dhe se nuk pritet të ketë lëvizje të ndjeshme para zgjedhjeve në Kosovë. “Pas formimit të qeverisë së re në Kosovë, duhet të riforcohet procesi dhe të bëhet e qartë se marrëveshjet e arritura duhet të zbatohen nga të dyja palët,” shtoi deputeti gjerman.
Hacker gjithashtu theksoi se durimi i Bashkimit Evropian për të dyja palët ka një afat të kufizuar. “Pas zgjedhjeve dhe krijimit të qeverisë në Kosovë, nuk do të ketë më tolerancë për Serbia, e cila nuk mund të vazhdojë të bëjë premtime për t’i shkelur më vonë,” përfundoi ai.