Luisi, djali 14-vjeçar që mbeti i plagosur në ngjarjen tragjike pranë shkollës “Fan Noli”, ka dhënë një intervistë për “Review” në Euronews Albania, ku ka treguar se në vendngjarje ka pasur edhe persona të tjerë.
Sipas tij, në momentin kur Martini u vra nga bashkëmoshatari i tij, të pranishëm kanë qenë edhe dy persona të tjerë.
“Nga ai moment mbaj mend që shoku i Marjos, një djalë me flokë të gjata më goditi pas shpine. U ktheva, e godita. Kur u ktheva përsëri pash që Mario kishte nxjerr thikën dhe po godiste Martinin në zemër, shkova direkt për të mbrojtur Martinin. Më pas më kapi një burrë që nuk e pash kush ishte, më kapi dhe më ngriti në ajër. Kur u ktheva prap pash që Mario ishte ngritur dhe më drejtoi thikën për në zëmër. Vura dorën përpara. Thika më preku vetëm pak zemrën. Më pas ai kaloi thikën nga dora e majtë në të djathë dhe donte të më sulmonte në fyt. Unë ula kokën dhe e godita me dorën e vetë në ballë. Pastaj vazhdoi lufta. Ai më qëlloi 6 herë në pjesën e kraharorit, por 4 herë më kapi. Unë pash që thika e tij ishte më e madhe se dora ime dhe u tremba. Shkova dy hapa pas dhe e qëllova në fytyrë. Më rrethuan dy. Nga frika që kisha i qëllova aq fortë sa njërit ia përplasa kokën te hekuri. Marios. Atij tjetrit i kam qëlluar në sy dhe ia futa vrapit”, ka treguar 14-vjeçari për “Review” në Euronews Albania.
Sipas tij, kanë qenë tre persona në ngjarje, por ai nuk ka arritur të identifikojë personin e tretë që sipas tij është burri që e ka ngritur.
“Ishin dy persona, Mario dhe një djalë me flokë të gjata. Djalin tjetër nuk e kam parë më parë. Di që është bashkëmoshatar i jonë. Unë dua të vinë e të bëjnë ekspertizën mjekoligjore për ta kuptuar të gjithë që kam plagë nga dy thika të ndryshme. Nuk flas dot më shumë. Kam shumë dhimbje”, tha ai.