Në raportin e fundit për Klimën dhe Zhvillimin të publikuar nga Grupi i Bankës Botërore, Shqipëria identifikohet si një nga vendet më të rrezikuara në Europë nga katastrofat natyrore, duke përfshirë përmbytjet, zjarret në pyje, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut. Raporti thekson se për t’u mbrojtur nga këto rreziqe, Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme.
Sipas ekspertëve të Bankës Botërore, dëmet ekonomike të shkaktuara nga ndryshimet klimatike mund të arrijnë deri në 7% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit nëse nuk merren masa të shpejta. Rreth 95% e bashkive shqiptare kanë përjetuar katastrofa natyrore gjatë dy dekadave të fundit, ndërsa sektorët e bujqësisë dhe energjisë janë ndikuar rëndë nga ndryshimet klimatike.
Raporti rekomandon investime të shpejta në përshtatjen klimatike dhe diversifikimin e burimeve energjetike për të ndihmuar Shqipërinë të përballojë sfidat e ndryshimeve klimatike dhe të sigurojë një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.